Hetimi për mbetjet e rrezikshme, Ministria i heq lejen mjedisore KURUM pas 10 vitesh
Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të KURUM International për aktivitetin metalurgjik në Elbasan, ndërsa kompania është përfshirë në hetimin për 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme.

Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të kompanisë KURUM International për aktivitetin e saj metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit, pas 10 vitesh nga pajisja me këtë autorizim. Vendimi vjen në një kohë kur kompania është përfshirë edhe në hetimet e Prokurorisë së Durrësit për çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, të cilët u nisën drejt Tajlandës dhe u kthyen në Shqipëri në tetor 2024.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka firmosur më 3 nëntor 2026 urdhrin nr. 540, përmes të cilit shfuqizohet leja mjedisore e tipit A, me numër PN-3843-09-2016, e shoqërisë KURUM International për aktivitetin në Kombinatin Metalurgjik.
Sipas dokumentit të siguruar nga EKOFIN.al, vendimi përfshin një gamë të gjerë veprimtarish industriale, duke nisur nga prodhimi i gizës dhe çelikut, përfshirë shkrirjen primare dhe sekondare, përpunimin e metaleve ferroze, funksionimin e fonderive, përdorimin e gazit natyror aromatik ose GNL-së, prodhimin e gëlqeres në furra rrotulluese, si dhe përpunimin dhe saldimin e metaleve.
Shfuqizimi i lejes së tipit A përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin e kompanisë në Elbasan, pasi ky autorizim është një nga dokumentet kryesore që kërkohen për ushtrimin e veprimtarive industriale me ndikim të konsiderueshëm në mjedis.
Vendimi pas inspektimeve dhe procedurave administrative
Urdhri i ministrit mbështetet në një proces administrativ të zhvilluar gjatë vitit 2026. Sipas dokumentit, Drejtoria e Inspektim Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përmes vendimit përfundimtar të inspektimit nr. 9469 prot., datë 25 qershor 2026, kishte propozuar shfuqizimin e lejes mjedisore të KURUM International.
Më pas, me vendimin nr. 3028/7 prot., datë 15 shtator 2026, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm vendosi pranimin e ankimit të kompanisë dhe lënien në fuqi të vendimit përfundimtar të inspektimit.
Në vijim, Komisioni pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me vendimin nr. 12101/1 prot., datë 21 tetor 2026, propozoi shfuqizimin e lejes mjedisore. Ky propozim u formalizua përmes urdhrit nr. 540 të ministrit të Mjedisit, i cili përcakton se shfuqizimi hyn në fuqi menjëherë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është ngarkuar të njoftojë Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe shoqërinë KURUM International për vendimin.
Dokumenti nuk jep një shpjegim të detajuar të shkeljeve konkrete të konstatuara gjatë inspektimit, por u referohet vendimeve administrative që kanë çuar në propozimin dhe më pas shfuqizimin e lejes mjedisore.
Hetimi për 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit vjen në një periudhë kur KURUM International është përfshirë në një hetim penal që lidhet me eksportin e mbetjeve industriale të rrezikshme.
Çështja u bë publike në vitin 2024, kur një ngarkesë prej 102 kontejnerësh me mbetje industriale, e nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, u kthye në Shqipëri në muajin tetor, pas shqetësimeve ndërkombëtare për natyrën e materialeve të transportuara.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit, të datës 4 shkurt 2026, KURUM International është identifikuar nga organi i akuzës si prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme, ndërsa shoqëria “Sokolaj” si eksportuese e ngarkesës.
Prokuroria pretendon se KURUM International ka bashkëpunuar me subjekte të tjera për të fshehur natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për të realizuar eksportin e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Nga ana tjetër, KURUM International ka mohuar lidhjen me eksportin e mbetjeve të rrezikshme. Pretendimet e Prokurorisë mbeten objekt i procesit penal dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar gjyqësor mbi përgjegjësinë e kompanisë.
Dokumenti i shfuqizimit të lejes mjedisore nuk përcakton nëse vendimi administrativ lidhet drejtpërdrejt me hetimin penal për 102 kontejnerët.
Çfarë ndodh me aktivitetin e uzinës në Elbasan?
Shfuqizimi i lejes mjedisore ngre pikëpyetje për vijimësinë e aktivitetit industrial të KURUM International në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.
Leja e tipit A mbulonte një sërë procesesh industriale, përfshirë prodhimin dhe përpunimin e çelikut, funksionimin e fonderive dhe përpunimin e metaleve. Humbja e këtij autorizimi prek bazën ligjore mjedisore për ushtrimin e këtyre veprimtarive.
Urdhri i ministrit përcakton hyrjen e menjëhershme në fuqi të shfuqizimit, por informacioni i publikuar nuk sqaron nëse aktiviteti i uzinës është ndërprerë, nëse kompania ka ndërmarrë hapa të tjerë ligjorë apo cilat do të jenë masat konkrete për vijimësinë e operacioneve industriale.
KURUM International ka qenë edhe më parë në qendër të zhvillimeve që lidhen me funksionimin e uzinës dhe marrëdhëniet e punës, ndërsa vendimi i fundit rikthen vëmendjen te kontrolli i aktiviteteve industriale, administrimi i mbetjeve dhe respektimi i standardeve mjedisore.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)